Laguna e Patokut

Rreth Lagunës

Laguna e Patokut e cila shtrihet përgjatë bregut shqiptar të Adriatikut, përfaqëson një nga bukuritë natyrore më interesante të këtij bregu. I ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishëm në Jug, ky kompleks përfshin një llojshmëri të lartë habitatesh : laguna e brendshme dhe e jashtme (480 ha), pylli (200ha), tokat bujqësore (450ha) dhe blegtorale (150ha). Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga një zonë e mëparshme prej 4200 ha që ka kaluar një proces interesant zhvillimi, për shkak te faktorëve natyrore dhe aktiviteteve njerëzore.

Historia

E krijuar gjate periudhës së Holocenit, kjo zonë karakterizohej nga një dinamizëm i lartë gjeomorfologjik. Zhvillimi i tij ka kaluar 4 faza, të cilat korrespondojnë me formimin e 4 lagunave, të ndara nga kordonë litoral. Laguna e katërt është Laguna aktuale e Patokut. Një lagune e pestë (laguna e jashtme aktuale) është në një proces formimi aktiv, e influencuar edhe nga një zhvillim i shpejtë i kordonit litoral në pjesën perëndimore. E gjithë zona është e rrafshët dhe karakterizohet nga një proces intensiv tektonik dhe ujëra te shumtë nëntokësore. Procesi natyror i zhvillimit të lagunës i detyrohet 3 faktorëve kryesore: rrëgjimit të Lumit Ishëm, rrëgjimit të Lumit Mat dhe rrëgjimit talasografik. Deri në vitet 50 të shekullit XX kanë dominuar zhvillimet spontane dhe në te gjithë zonën kanë mbizotëruar elementet natyrore të habitateve.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, aktivitetet njerëzore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ndryshimet e këtij ekosistemi nëpërmjet drenazhimeve, ndërtimit të digave, shpyllëzimeve etj.

Turizmi Ekologjik

Turizmi ekologjik është një nga potencialet me te rëndësishme për zhvillimin e zonës. Karakteristikat e saj natyrore me llojshmërinë e larte te habitateve (det, lagune, pyll, lumenj, toke bujqësore), biodiversitetin e pasur me shume grupe te florës dhe faunës, ekzistencën e bujqësisë dhe peshkimit tradicional janë faktorë kryesore për zhvillimin e eko-turizmit. Pozicioni i kësaj zone pranë Tiranes dhe rrugëve nacionale e lehtëson ardhjen e turisteve, nëse do te përmirësohej infrastruktura e kësaj zone në një te ardhme te afërt.

Neqoftese burimet natyrore do te administrohen në mënyrën e duhur dhe metodat tradicionale për rritjen e gjendjes ekonomike do te vazhdojnë te aplikohen, kjo zone do te ketë një perspektive te mire zhvillimi, te bazuar në zhvillimin e qëndrueshëm.